Programi “Shkolla e Politikes” synon të jetë i një niveli sa më elitar. Në përputhje me këtë synim pranohen kandidatë që kanë arritur rezultate të larta në karrierën e tyre të deritanishme dhe kanë një nivel të lartë arsimimi në fushat e lidhura me programin.
Pranimi i kandidatëve bëhet nëpërmjet konkurimit paraprak të dosjeve dhe me intervistë për personat e perzgjedhur.
Përzgjedhja e kandidatëve bazohet në parimet e barazisë, të drejtësisë, të paanësisë dhe të meritës që nënkupton vlerësimin tërësor të treguesve të kandidatit që përfshijnë arritjet akademike, përputhjen e interesave të kandidatit me qëllimet e programit, nivelin e zotërimit të gjuhës angleze, nivelin e rekomandimit.
Përparësi kanë kandidatët që janë: anëtarët e rinj të parlamentit, zyrtarë të institucioneve qëndrore dhe lokale, të zgjedhurit e këshillave të bashkive, komunave, përfqaqësues nga sistemi gjyqësor, biznesi, media, organizatat joqeveritare. Mosha e pjesëmarrësve duhet të jetë deri në 40 vjeç. Shkolla synon një balancim gjinor të pjesëmarrësve si dhe një përfaqësim të barabartë të minoriteteve etnike dhe fetare nëse ata plotësojnë kriteret e tjera. Kandidatët shqyrtohen dhe intervistohen nga anëtarët e Bordit të Shkollës së Politikës pranë zyrave të Këshillit të Evropës në Tiranë.
Në rast se ndonjë kandidat heq dorë nga ndjekja e kursit para fillimit të tij, vendin e tij e zë kandidati që renditet pas tij në listën pritëse.
Kriteret e pranimit
Kandidati që kërkon të ndjekë Programin “Shkolla Shqiptare e Politikës” duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
Përparësi do tu jepet atyre që zotërojnë një diplomë universitare të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit.
Të zotërojë gjuhën angleze dhe/ose frënge. Zotërimi në nivel të mirë i këtyre gjuhëve kërkohet pasi disa lëndë do të zhvillohen në këto gjuhë. Përbën avantazh zotërimi edhe i ndonjë gjuhe tjetër perëndimore.
Të shprehë qartë motivimin e pjesëmarrjes në Programin “Shkolla Shqiptare e Politikës” dhe interesat politike dhe për zhvillim karriere
Mosha e kandidatit duhet të jetë deri në 40 vjeç
Kandidati preferohet të jetë në një pozicion aktiv publik
Të jetë i rekomanduar nga dy persona të cilët i njohin aftësitë akademike, profesionale, kërkimore dhe personale të kandidatit.
Dokumentacioni i pranimit:
Formular i plotësuar i kërkesës.
Fotokopje të diplomës.
Dy letra rekomandimi, secila e mbyllur në zarf dhe e firmosur nga rekomanduesi.
1 fotografi me format pasaporte.
Procedurat e pranimit
a. Pranimi i dokumentacionit
Dokumentet për konkurrim pranohen në nga data 15 Nentor – 14 Dhjetor 2007.
Të gjitha dokumentet për konkurrim duhen dorëzuar pranë Zyrës së Informacionit të Këshillit të Evropës brenda afatit të përcaktuar.
b. Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve dhe e komunikimit të vendimit
Faza e parë: Vlerësimi i aplikimeve të kandidatëve
Anëtarët e Bordit të “Shkollës Shqiptare të Politikës” shqyrtojnë aplikimet e kandidatëve. Kandidatë të përshtatshëm do të jenë ata që kanë treguesit më të lartë sipas kritereve të pranimit. Do të njoftohen vetem kandidatët e përzgjedhur për intervistë.
Faza e dytë: Intervistimi i kandidatëve
Kandidatët e përzgjedhur si të përshatshëm nga Bordi i Shkollës së Politikës i nënshtrohen një interviste me anëtarë të këtij bordi. Intervista zhvillohet në gjuhën shqipe, angleze dhe/ose franceze. Komisioni i vlerëson kandidatët në bazë të kritereve të caktuara të kësaj faze.
Faza e tretë: Përzgjedhja e kandidatëve fitues
Bazuar në rezultatet e dy vlerësimeve, Bordi i Shkollës së Politikës përzgjedh kandidatët fitues. Fitues shpallen kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të pikëve në rend zbritës deri në plotësimin e numrit të parashikuar të pjesëmarrësve.
Faza e katërt: Komunikimi i vendimit
Në këtë fazë shkolla lajmëron me email secilin kandidat për pranimin ose mospranimin e tij/saj.